AKTIVITET TRAJNUES: 21 nëntor 2025 “E DREJTA EVROPIANE PËR MBROJTJEN E KONSUMATORIT”

Shkolla e Magjistraturës në bashkëpunim me Akademinë e të Drejtës Evropiane, më datë 21 nëntor 2025, zhvillon aktivitetin trajnues me temë: “E drejta evropiane për mbrojtjen e konsumatorit", pranë ambienteve të Shkollës së Magjistraturës, në Tiranë.

Ky aktivitet drejtohet nga ekspertët e ERA-s Jadranko Jug, Gjyqtar në Gjykatën e Lartë të Republikës së Kroacisë, Kristin Nemeth, Asistent Profesor në Universitetin e Innsbruck-ut, Francisco Verdún Pérez, Ortak në Verdún Abogados & Associates, Málaga, si dhe znj. Elda Vrioni, Gjyqtare në Gjykatën Administrative të Apelit, eksperte e Shkollës së Magjistraturës. 

Gjithashtu i pranishëm në këtë aktivitet trajnues është edhe z. Viktor Vadász, Zëvendës Drejtor i Akademisë së të Drejtës Evropiane ERA. 

Seminari ofron një prezantim të kornizës ekzistuese ligjore të BE-së për mbrojtjen e konsumatorit. Një vëmendje e veçantë i kushtohet kontratave me konsumatorët përmes analizës së legjislacionit përkatës të BE-së dhe jurisprudencës së fundit të Gjykatës së Drejtësisë së Bashkimit Evropian (GJDBE). Pjesëmarrësit do të kenë mundësi të thellojnë njohuritë e tyre përmes diskutimeve dhe rasteve praktike.

Trajnimi realizohet duke ndërthurur prezantimet (deri në 20-30 min) me diskutimin e çështjeve të shtruara (pyetjeve vetë studimore; pyetje-përgjigje) dhe ushtrimeve me raste praktike & kuize, për të nxitur dhe realizuar ndërveprimin aktiv të pjesëmarrësve. 

Në këtë aktivitet trajnues morën pjesë gjyqtarë dhe prokurorë të Republikës së Shqipërisë.